Ka dritë në fund të tunelit

Detyra e ditës në këtë periudhë pandemie është respektimi i masave parandaluese për të frenuar sa më shumë shpejtësinë e përhapjes së virusit, duke e mbajtur numrin e të prekurve që kanë nevojë për trajtim spitalor brenda kapaciteteve të menaxhimit të sistemit tonë të shëndetit publik. Kjo është kryefjala dhe kryeshqetësimi jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i gjithë botës, përfshirë vendet më të zhvilluara. Por pandemia do të shuhet herët a vonë. Pjesa më e madhe do ta kalojë pa asnjë pasojë, disa të tjerë për fat të keq nuk do t’ia dalin. Se sa do të jetë bilanci i kësaj lufte të pazakontë askush nuk e di, por një gjë dihet me siguri:

Pandemia do të ndezë shkëndijën e një flake inovacioni e kreativiteti, që ndonëse e imagjinonim, nuk e prisnim kaq shpejt. Inovacioni do të ushqehet pa kursim nga nevoja për t’iu përshtatur ndryshimeve në të gjitha aspektet e jetës.

Sistemet e shërbimeve publike, si shëndeti publik apo transporti publik; sipërmarrja private, kryesisht në fushën e shërbimeve; marrëdhëniet e njeriut me vendin e punës, me edukimin, e deri te marrëdhëniet ndërmjet shteteve, do të pësojnë ndryshime epokale.

Epokale do të jenë edhe shanset tona. Në kohë krizash dhe në kohë revolucionesh, renditja e vendeve në listën e klasifikimit ndryshon. Ndryshon sepse jo të gjithë vendet i lexojnë njëlloj mesazhet që sjell menaxhimi kritik.

Shërbimet e shëndetit
Hapësira të mëdha do të krijohen sidomos në fushën e shërbimeve të shëndetit dhe dietës ushqimore. Dr. Google ka kohë që po hyn në çdo familje, por pas pandemisë kërkesa për informacion dhe këshillim mjekësor do të rritet dhe bashkë me të duhet të shtohet edhe përmbajtja në gjuhën shqipe. Ndërtimi i platformave inovative të shëndetit (iHealth) me inteligjencë artificiale është një fushë e re për startup-et shqiptare. Për ta mbështetur çdo ide e startup, më mirë e më shumë se çdo vend tjetër, nuk duhen fonde të mëdha. Duhet thjesht fokus dhe vullnet.

Ngritja e platformave për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave epidemiologjike dhe mjekësore, duke u mbështetur në teknologjinë e re “blockchain”, gjithashtu mund të bëhet me më pak fonde, por me më shumë vullnet për inovacion.

Kështu, unë besoj se mund të ngjitemi disa shkallë në klasifikimin e sistemeve të shëndetit publik, të paktën sa i përket pjesës së informacionit dhe analizës së të dhënave.

Sipërmarrja e shërbimeve
Po të shohim me kokë ulur vetëm nga e sotmja, nuk gjejmë dot asnjë rreze optimizmi. Por pesimizmi as nuk e largon virusin dhe as nuk na përgatit për të nesërmen, kur pandemia do të jetë zhdukur.

Sot, pjesa dërrmuese e bizneseve të shërbimeve është mbyllur. Mijëra të punësuar në biznese si hotele, bare, restorante, palestra, agjenci turistike etj., janë të pasigurt për vazhdimin e punës, pasi një pjesë e mirë e këtyre bizneseve mund të mbyllen. Sa kohë do të kalojë deri sa të kthehemi në normalitet? Këtë askush nuk e thotë dot, por mund të thuhet me siguri se do të kemi një normalitet të ri — një normalitet të një lloji tjetër.

Nëse rrimë e presim rikthimin e asaj që shkoi, mbase do të dalim të humbur nga kjo luftë. Normaliteti i ri duhet të fillojë me një plan të ri.

Ky plan për botën e ekonomisë dhe sipërmarrjes duhet të mbajë parasysh ndryshimin e kushteve të të bërit biznes për shkak të kufizimeve sociale, që do të ndryshojnë sjelljen konsumatore nga njëra anë, dhe krijimin e kulturës së re dixhitale që po kultivon periudha e distancimit social nga ana tjetër.

Pandemia do të ndryshojë sjelljen konsumatore. Shërbimet që ofrohen në evente apo grumbullime masive mund të jenë të kufizuara me shumë gjasa edhe për të paktën një vit. Mbase edhe më vonë, qytetarët do t’i shmangin mjediset me shumë njerëz. Konsumatorët do të preferojnë më tepër shërbime të ofruara në shtëpi, në celular apo në mjedise me pak njerëz. Kjo do të sjellë ditë jo të mira për bizneset e shërbimeve, sidomos ato gastronomike dhe turistike, nëse ato do të mbështeten tek i njëjti model biznesi.

Nga ana tjetër, periudha e distancimit social po i familjarizon shpejt qytetarët me shërbimet online, si porositja e ushqimeve dhe mallrave të tjera nga telefoni, komunikimet në video call, pagesat online, mësimet online etj. Kjo periudhë po sjell si efekt anësor një kulturë dixhitale të shtuar.

Kështu, sjellja e re konsumatore do të dëmtojë modelin e sotëm të biznesit për shumë biznese shërbimesh, por do të krijojë kushte të favorshme për shërbime të tjera. Ndaj, bizneset duhet të mendojnë çdo ditë për të rialokuar shërbimet, produktet apo gjithë biznesin në fushat ku do të drejtohet kërkesa e re. Kjo do të thotë se, nëse një restorant nuk e ka hapur ende një shërbim “taxi”, duhet ta bëjë atë menjëherë. Hotelet duhet të presin një ulje të ndjeshme të numrit të klientëve, e në këto kushte duhet të shtojnë të ardhurat duke e pasuruar paketën e shërbimeve me vlerë të shtuar.

Në Korçë, për shembull, hotelet e bujtinat nuk kanë filluar ende të “shesin” paketa integrale, ku veç akomodimit të ofrohet edhe guida turistike në atraksionet e zonës. Shërbimet e personalizuara do të jenë gjithnjë e më të kërkuara në treg. Pra, këto biznese duhet t’i përgjigjen pyetjes: Si të sigurojmë më shumë të ardhura me më pak klientë? Ndërtimi i ofertave inovative dhe prezenca interaktive online është një nga rrugët e përshtatjes me një treg që do të ndryshojë sjellje.

Po të kthejmë vëmendjen nga historia e afërt e epidemisë së virusit SARS, do të shohim se kjo epidemi u bë shkak për përshpejtimin e penetrimit të internetit në Kinë dhe rritjen eksponenciale të kompanisë më të madhe të shitjeve online, Alibaba.

Aftësitë e reja dixhitale
Shërbimet online do të rriten vrullshëm në të gjithë globin. Mundësi të mëdha do të hapen për të gjithë të rinjtë që do ta kuptojnë këtë trend dhe do të përfshihen në tregun e programuesve, marketierëve dixhitalë, shërbimeve të e-commerce apo shërbimeve të tjera të teknologjive të informacionit. Kjo rritje e kërkesës për shërbime IT krijon hapësira për vende të reja punësimi e vetpunësimi.

Teksa po shkruaja këto rreshta, pata një bisedë të shkurtër (virtuale natyrisht 🙂) me Laidi Ferrunin, një pionier i trajnimeve për marketing dixhital, dyqane online, menaxhim të rrjeteve sociale etj., dhe drejtuesi i grupit Online Entrepreneurs Club Albania në Facebook. Ai më tha se gjatë periudhës së pandemisë kërkesa për trajnime është rritur shumë. Laidi punon për tregun global, por lajmi i mirë ishte se këtë trend po e ndjekin edhe të rinj nga Shqipëria. Për të rinjtë dhe jo vetëm, kjo periudhë disajavore është e mjaftueshme për të përfunduar një trajnim online, pra për të marrë një aftësi që mundëson punësim të shpejtë ose vetpunësim si freelancer në tregun global nga shtëpia.

Edukimi në distancë
Sot mbi gjysmë milioni fëmijë e të rinj shqiptarë janë duke i marrë leksionet nga shtëpia. Mësuesit meritojnë mirënjohje për punën e madhe që po bëjnë për t’i përshtatur programet mësimore në një kohë kaq të shkurtër. Në kushte të tjera, kjo detyrë do të dukej e pamundur, por nevoja e bëri realitet. Sapo ka lindur kështu një treg i ri për startup-et e teknologjive të informacionit dhe një praktikë e re për komunitetin. Edukimi në distancë është një dritare e re që u hap në kohën e pandemisë për të mos u mbyllur asnjëherë.

Për fat të keq, jo të gjithë do të orientohen në rrethanat e reja. Shoqëria do të ecë në korsi të ndryshme dhe për rrjedhojë do të krijohen pabarazi të reja.

Sipërmarrja gjithashtu do të ketë fitues dhe humbës, si në çdo kohë. Kjo nuk mund të shmanget, por ne kemi në dorë të ndërtojmë një ekosistem të ri që i jep akses në burime të gjithë guximtarëve të ideve të reja. Kjo nuk duhet të jetë koha që i bën të pasurit më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Kjo duhet të jetë koha që i lëshon skenën meritës dhe krijon barazi në mundësi.

Inovacioni ka qenë gjithmonë një recetë pothuajse magjike për të kapur kohën e humbur, por tani e në vazhdim, inovacioni do të jetë edhe receta e mbijetesës. Nëse do t’i përgjigjemi më mirë dhe më herët sfidave të së nesërmes, që ndryshoi drejtim kaq papritur, jo vetëm do t’i mbijetojmë kohës, por edhe mund të dallohemi si histori suksesi, duke i kthyer pasojat dramatike të kësaj “lufte” me të padukshmen në impulse për inovacion dhe rritje.