17 Nëntori – DITA E ÇLIRIMIT TË KRYEQYTETIT 

Para pak kohësh, me rastin e Ditës së Çlirimit të qytetit, doja të shkruaja diçka në fb. Doja të vazhdoja argumentin e postimit të mëparshëm që e pata titulluar ARRATISJE NGA KOTESIA.
Siç ndodh sa herë që përdoren referenca shembujsh të perveçëm, ky postim pati edhe kritikët e vet. Nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi tregon qytetari pavarësisht përmbajtjes.
Pra doja te rikujtoja se kur ka një qëllim te madh, siç ishte LIRIA gjatë luftës çlirimtare, shumëkush, i madh e i vogël, burrë apo grua, intelektual a punetor, në fshat a qytet, nga veriu në jug bëhet pjesë e ketij qellimi dhe thënë me gjuhen e fizikes, rezultantja e forcës së shoqërisë shumëfishohet.
Por çdo shkrim kërkon frymëzim dhe une e humba frymezimin kur lexova diku ne fb rastësisht, shkrimin e një korcari të shkolluar dhe me emër shumë të mirë, i cili e quante pak a shume një farsë festen e çlirmit pasi, sipas tij, rezistenca partizane ishte imagjinare. Gjermanët, vazhdon i nderuari, e lanë vendin sipas planit te tyre dhe partizanët nuk sollën lirinë por mjerimin.
Trishtuese.
Nuk do te merrem jo, me fakte historike sepse do të beja edhe une te njëjtin gabim.
Për fat te keq qëndrime të ngjashme hasen jo rrallë edhe për figurën e Heroit tonë Kombëtar apo personalitetin botëror të shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Shumë vende do të donin të kishin në historinë e tyre një figurë si Skënderbeu që e ka shenuar emrin ne historinë e Europës. Ka vende që e kane gjetur Heroin e tyre në legjenda, siç eshte rasti i Zvicres qe ka per hero kombëtar Wilhelm Telin. Vende te tjera që në Luftën II Botërore u rreshtuan ne krahun e gabuar, sot janë anetare të BE.
Kombet kanë nevojë të ankorohen në disa data, ngjarje, figura per te ngritur urat e kapërcimeve historike. Dikush ka shkruar se të ardhmen e percaktojnë brezat qe kane vdekur më shumë se sa ata që janë gjallë.
Ku shqetesim mund të duket i tepërt, pasi keto opinione i perkasin nje pakice, por une mendoj se ky eshte një virus fatal në qoftë se nuk refuzohet me force nga trupi i shoqerise sonë. Nuk dua te them se historia e Skenderbeut, e Rilindjes, e pavaresimit te vendit, e luftës çlirimtare krahas aleateve antifashiste apo e lëvizjes studentore demokratike duhet të jenë dafina mbi te cilën duhet te flemë si komb.
Përkundrazi.
Ato jane vetëm një pjese morale e pasaportes europiane të Shqipërisë.
Më e rëndësishme eshte të njohim rreziqet e sotme dhe te lartesohemi per shkak të këtyre rreziqeve (Rreziku i madh i lartesoi kombet, thoshte Nitsche).
Veçse përbaltja e ngjarjeve më të mira, e figurave më të ndritura që ky komb prodhoi në historinë e vet, është më i madhi rrezik për të ardhmen. Në të kundërt evokimi i tyre në kontekstin e sotëm mund ti sherbeje pak nga pak, ditë pas dite nevojës për të formuluar qëllimet tona të mëdha. Gëzuar Ditën e Çlirimit të Tiranës

© 2021 Niko Peleshi, të gjitha të drejtat e rezervuara.