Fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit

Dita e djeshme ishte një ditë historike për Kosovën. Fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me një rezultat më të thellë se LDK e Rugoves fill pas Luftës, flet shumë për shpirtin e Kosovës sot.
Kosova veproi me vitalitetin e një shteti të ri, me popullsi të re dhe me endrra e ambicje të mëdha. Votoi për një drejtim të ri sepse nuk pajtohet me status quo-në. Kosova ka pritur shumë për të drejtat e veta. I ka fituar me sakrifica të mëdha. Ky shpërthim politik i Kosovës është një padurim për tu rreshtuar përkrah vendeve europiane në standarte dhe më pas edhe në të drejta. E ndodhur ende në rradhë për të drejtën e lëvizjes së lirë, Kosova sot tregoi se meriton më shumë vlerësim ndërkombëtar e padyshim një drejtim politik me sytë nga problemet dhe sfidat e brendshme. Angazhimi për shtet ligjor, drejtësi, politika ekonomike që synojne drejtësi sociale e shanse për të rinjte, janë premtimet që kanë rritur pritshmërinë e shqiptarëve të Kosovës dhe kanë ngjallur shpresë e optimizëm.
Albin Kurti do të ketë shumë faktorë kundër, por edhe më të madhin faktor pro, shpresën dhe optimizmin e shqiptarëve të Kosovës dhe diasporës.
Shpresa dhe optimizmi janë në fakt të vetmit përbërës që mund të bëjnë çudinë e frenimit të një trendi rajonal të largimit të të rinjve drejt vendeve me më shumë mundësi. Kjo tendencë buron nga nevoja njerezore për një jetë më të mirë në një kohë më të shpejtë. Veçse vendimmarrjet njerëzore janë më shumë shprirtërore sesa materiale. E nëse Albini do të arrijë ta mbajë të ndezur shpirtin e kulluar patriotik dhe zjarrin e shpresës që i ka rrënjët thellë në historinë e Kosovës, kosovaret mund të shkruajnë përsëri faqe të shkëlqyera .

© 2021 Niko Peleshi, të gjitha të drejtat e rezervuara.