Niko Peleshi është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë prej 12 shtatorit 2025.
Me përvojën e gjatë dhe veprimtarinë aktive politike, parlamentare e qeverisëse, z. Peleshi është një personalitet i spikatur në jetën politike e shoqërore të vendit.
Prej janarit 2021 deri në korrik 2024 ka mbajtur funksionin e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.
Gjatë periudhës shtator 2017 – janar 2019, shërbeu si Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Prej shtatorit 2013 deri në maj 2017, ka mbajtur funksionin e Zëvendëskryeministrit.
Niko Peleshi është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryesues i listës së Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, prej vitit 2017, gjatë Legjislaturave IX, X dhe XI.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, z.Peleshi u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Korçës dhe u rizgjodh edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Duke qenë në këtë detyrë, në vitin 2013 u zgjodh anëtar i Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.
Në tetor të vitit 2004, u emërua Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtroi këtë funksion për një vit.
Prej vitit 2012, është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2005, u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës.
Peleshi ka pasur një angazhim të gjatë në sektorin privat në qytetin e Korçës dhe gjatë viteve 2001- 2004 ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Korçë.
Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate të shkëlqyera, duke fituar titullin “Inxhinier elektronik”.
Ka kryer studimet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë, me Medalje të Artë.
Zotëron shumë mirë gjuhën angleze si edhe flet rrjedhshëm gjermanisht dhe greqisht.
Niko Peleshi është lindur në Korçë më 11 nëntor 1970, është i martuar dhe ka tre fëmijë.