PANDEMIA SI NYJE KRITIKE NË HISTORI

Jemi vetëm në ditët e para të një pandemie serioze të shkaktuar nga një virus. Është herët të imagjinojmë si do të jetë bota pas saj, por referuar historisë dhe disa leximeve të para të reagimit global të deritanishëm, me shumë gjasa kjo ngjarje panbotërore mund të jetë një nyje kritike në historinë e botës së qytetëruar.
Dështimet e shumë vendeve të zhvilluara, ku kulmon Italia, në menaxhimin e kësaj emergjence të shëndetit publik e mbi të gjitha dështimi i përbashkët i shteteve për të ndërtuar një reagim të koordinuar të frymëzuar nga humanizmi e jo thjesht nga interesi primar kombëtar, mund të jenë shtysa për të rimenduar shumë sisteme të organizimit tonë politik, ekonomik e social.
Sot çdo shtet është duke u përpjekur me mjetet e mundësitë e veta të përballojë sulmin viral. Por kur shtete si Italia, Franca, Gjermania, Norvegjia, Danimarka etj duken kaq të dobëta për ta përballuar emergjencën e Covid-19, si do t’ia dalin shtetet më pak të zhvilluara?
Në librin “Pse dështojnë kombet” Daron Acemoglu dhe James A. Robinson tregojnë për ndryshimet e medha sistemike të shkaktuara nga ngjarje pandemike me fuqinë e një nyjeje kritike (critical juncture) siç ishte Murtaja, ose siç quhet ndryshe Vdekja e Zezë, në shekullin e 14të. Në shumë vende të Perëndimit kjo katastrofë, që mendohet të ketë marrë jetën e 75 – 200 milionë njerëzve, ishte edhe fundi i feudalizmit. Shoqëritë e këtyre vendeve rishikuan marrëdhëniet e pronës dhe individit në shoqëri. Një sistem i ri socioekonomik lindi.
Veçse lipsen veshë që të dëgjojnë dhe sy që të shohin. Pra vetëm shoqëritë e hapura me një peisazh institucional demokratik e realisht liberal mund të kenë forcën e vetëndryshimit. Lajmi i keq është që kjo ngjarje e gjeti demokracinë liberale në një situatë jo shumë te shëndetshme dhe institucionet ndërkombëtare të dobësuara nga populizmi nacionalist. Këto tendenca politike janë shkaku kryesor i dobësimit dhe zhvlerësimit të rolit të institucioneve dhe konventave ndërkombëtare. Italia sot ka një përhapje të epidemisë në një shkallë 5 herë më të madhe se vetë Kina. Por ndonëse është pjesë e BE, nuk kemi parë deri tani asnjë mbështetje të posacme për Italinë nga BE apo nga vendet anëtare. Kohezioni dhe aleancat janë dobësuar dhe shtetet po përpiqen të luftojnë brenda kufijve me një armik që nuk njeh kufij. Shpejtësia dhe harta e përhapjes së virusit na tregon fare qartë se mbyllja brenda kufijve nuk mund të jetë më një opsion. Gjatë 1 viti udhëtojnë me avion mbi 4 miliardë pasagjerë dhe mbi 4.5 miliardë janë përdorues Interneti. Pra njerëzimi është jashtëzakonisht pranë edhe fizikisht edhe virtualisht. Viruset fizike mund të përhapen brenda pak javësh në të gjithë botën dhe viruset kompjuterike brenda pak orësh. Në një kohë kur mobiliteti i njerëzve është rritur në mënyrë eksponenciale dhe teknologjitë e komunikimit e kanë ndërlidhur botën si kurrë më parë, problemet globale kërkojnë zgjidhje globale.
Më kujtohet biseda me ministrin e energjisë së Izraelit disa vite më parë. Kishin ndërtuar një institucion për mbrojtjen kibernetike dhe më kërkoi të ndërtojmë një të ngjashëm në Shqipëri bazuar tek ekspertiza izraelite. Ne e kemi të domosdoshme të ngremë kapacitetet mbrojtëse në të gjithë botën, më tha Silvan Shalom, sepse përndryshe gjithçka kemi bërë këtu është e pavlerë.

Lajmi i mirë është që tek shoqëritë perëndimore shoqëria civile nuk ka vdekur. Popujt e trullosur nga populizmi do të rizgjohen kur të shohin në shfaqjen më të dhimbshme të mundshme fundin e pallavrave populiste dhe pafuqinë e organizimit të sotëm të institucioneve ndërkombëtare për të zgjidhur çështje që i tejkalojnë kufijtë shtetërore. Gjunjëzimin botëror, që po e paralajmëronte ndryshimi i klimës, Virusi Covid-19 arrriti ta bëjë shpejt e shpejt. Tani kërkohen zgjidhje, jo fjalë.
Apeli për establishmentin politik botëror, institucionet e kërkim-zhvillimit, universitetet dhe organizatat ndërkombëtare është i njëjti: Elita të të gjitha vendeve, bashkohuni

© 2021 Niko Peleshi, të gjitha të drejtat e rezervuara.